Loading...
Enciklopedi

SHERIF ARIF ARIFI (BRAHO)

Ndërron jetë në moshën 82 vjeçare imami i xhamisë së re në Valias të Tiranës, Sherif Arifi.
Allahu e mëshiroftë dhe e bëftë nga banorët e xhenetit 🤲.
SHERIF ARIF ARIFI (BRAHO) 1938-2020
Lindi në qytetin e Pukës në vitin 1938 nga një familje me tradita fetare, patriotike. Mësimet e ciklit fillor i mbaron pranë familjes, por babai i tij arsimdashës dhe besimtar i devotshëm e dërgon në Medresenë e Tiranës në vitin 1951. Këtu i nënshtrohet jetës së konviktit për të kryer arsimin 7 vjeçar dhe të mesëm. Me sjelljen e tij të veçantë tërhoqi vëmendjen e petagogëve dhe veçanërisht atyre të lëndëve fetare, të cilët e mbajtën afër dhe i krijuan një ambient të ngrohtë prej prindi, pasi familjen e kishte shumë larg. Me zgjuarsinë dhe intelektin e tij arriti që të arrijë rezultate të mira në lëndët mësimore. Në veçanti petagogët si Haxhi Mahmud Dashi, H. Mustafa Doraci dhe Sulejman Kadiu e merrnin pas vetes për ligjerata fetare dhe predikime në ditët e premte.
Sherifi, i përkushtuar në lëndët fetare, grumbulloi literaturën e nevojshmë që t’i shërbente pas përfundimit të shkollës. Për fat të keq, mobilizimi në kryerjen e detyrës ushtarake ja ndërpret shkollën e mesme në vitin e fundit, por pas dy vitesh në ushtri rikthehet për ta përfunduar në vitin 1961 Medresenë e Tiranës. Merr diplomën si kuadër fetar dhe vazhdon si imam në fshatin e tij.
I vetmi kuadër fetar që njihej me emrin “hoxhë” ishte Sherifi. E fitoi me respekt këtë titull me sjelljen shembullore të tij, por prej pikëpamjes demokratike të prindërve dhe familjes së tij, regjimi komunist i pushkaton dy dajat e tij, Isuf dhe Qazim Locin, pastaj i persekuton dhe i burgos babanë e vëllain e tij të madh. Sherifi shikohej me sy jo të mirë nga pushteti komunist si hoxhë. Çdo gjë do të përfundonte në vitin 1967, kur feja do të ndalohej me ligj. Sherifi detyrohet të punojë si punëtor në gjeollogji. Me sjelljen e tij shembullore si punëtor i palodhur, i aftë dhe i zgjuar në profesionin e vet, arriti të fitojë zemrat e inxhinierëve duke e emëruar teknik. Në këtë rol pati shumë provokime nga njerëzit e lidhur me partinë që asnjëherë nuk ja hoqën titullin “hoxhë”.
Punoi tërë kohën me ndjenjën e persekutimit, derisa me në fund do të lindte dielli i lirisë së ndërgjegjes së Sherifit dhe të gjithë Shqipërisë. U përmbys regjimi komunist dhe erdhi në pushtet sistemi demokratik në 1991. Sherifi menjëherë kërkon të rikthehet në detyrën fetare, për të çuar në vend amanetin e babait të tij. U emërua fillimisht myfti në Tropojë. Me devotshmëri iu përkushtua detyrës fetare si prijës me vision të qartë për ringjalljen e fesë islame. Iu përgjigj thirrjes së Komunitetit Mysliman për të punuar në vendet me të largëta, ku ndihej nevoja për kuadro fetare, duke u transferuar në Devoll dhe Gjirokastër.
Spikati figura e tij e pastër për drejtësi islame, për të vendosur çdo gjë sipas ligjeve të fesë edhe në pasuritë e vakëfit. Fitoi respektin dhe dashurinë e besimtarëve dhe të fshatarëve. Me ligjëratat fetare tërhoqi zemrat e tyre, duke u bërë një kuadër fetar i besueshëm, që asnjëherë nuk u thye para vështirësive të fillimit për ringjalljen e fesë islame. Për aftësitë teologjike, ftohet të japë mësim në Medresenë e Gjirokastrës, në lëndët fetare. Mënyra e shpjegimit dhe e trajtimit të këtyre lëndëve, bëri që të fitojë respektin dhe dashurinë e nxënësve.
Me qëllimin për t’u afruar më pranë familjes, i propozojnë vendin e imamit në fshatin Valias, të cilin e pranon me kënaqësi. Qysh prej vitit 2003, ka kryer detyrën e imamit në xhaminë e re të ngritur në fshatin Valias, Tiranë. Që në fillimet e punës si imam, dallohet për përkushtimin në përgatitjen e ligjëratave dhe e hytbeve, duke arritur të fitojë kështu dashurinë jo vetëm të besimtarëve të këtij fshati, por edhe të fshatrave përreth. Xhamia e tij frekuentohet nga besimtarët e zonave përreth, që e duan dhe e vlerësojnë shumë për trajtimin e problemeve sociale në përputhje me Kuranin dhe Sunnetin. Është shumë realist në atë që predikon, mbështetur në Kuran dhe në hadithet e Profetit (a.s.).
Me studimet e tij të vazhdueshme të literaturës fetare, Sherifi ka arritur të jetë një teolog, hoxhë i formuar dhe një model për t’u marrë shembull. Kënaqësia që ndjen si imam për hir të dashurisë ndaj Allahut, ka bërë që Sherifi të lidhet ngushtë me zemrat e besimtarëve të fshatit. Karakteri i tij i fortë dhe i sinqertë në fjalë, besnik në atë ç’ka thotë, ka bërë që ai të shihet si shpresa e besimtarëve të zonës, për të udhëhequr të drejtën e të vërtetën, fjalën e Allahut (xh.sh.). 19 / 09 / 2020