Loading...
Kontribute

Hoxhallarë në shërbim të atdheut

Në kohë të vështira dalin në pah gjithmonë njerëz të mëdhenj që i shërbejnë vendit dhe atdheut me përkushtimin e tyre, ashtu siç edhe ka ndodhur në të vërtetë edhe me hoxhallarët. Hoxhallarët shqiptarë i kanë shërbyer me shumë devotshmëri këtij vendi, duke i edukuar brezat me ndershmëri dhe sinqeritet në shërbim të familjes dhe shoqërisë. Këtu duam të përkujtojmë tre hoxhallarë tashmë të mirënjohur si emra nga i gjithë publiku shqiptar Hafiz Ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun dhe Ismail Efendi Ndroqin. Në momente kyçe për atdheun tonë e sidomos në vitin e pavarësisë ata kanë shërbyer edhe me armë.

Hafiz Ali Korça me çetën e luftëtarëve të tij u hodh në luftë për pavarësinë e Shqipërisë dhe nga dëmet që po pësonte nga politikat dritëshkurtra të xhonturqve, partia më e madhe për kohën në Perandorinë Osmane dhe që kishte marrë frenat e pushtetit asokohe. Xhonturqit asokohe po silleshin ashpërsisht me Shqiptarët, duke i konsideruar si element armiqësor, mirëpo hasën në rezistencën dhe shpirtin luftarak të shqiptarëve.

Hafiz Dalliu hoxhë dhe mësues i shqipes, u vu në krye të burrave që i pritën Serbo-Sllavët me armë në dorë në nëntorin 1912, opozitar i pandreqshëm edhe gjatë Monarkisë, arrestohet më pas dhe dënohet nga regjimi komunist i Tiranës që i shërbente Serbo-Sllavëve të Beogradit (foto e Dalliut në burg).

Hafiz Ismail Ndroqi, kryetar bashkie i Tiranës më 1920, në fotot e kohës shihet duke shoqëruar qeverinë e Lushnjes me mbretin Ahmet Zogu duke hyrë në Tiranën e shpallur kryeqytet i përkohshëm. Gjenerali italian që kishte komandën ushtarake të Tiranës u përpoq ta ndalonte Ismail Efendiun dhe qeveria shqiptare të mos hynte në Tiranë, kurse Ismail Efendiu e hapi xhyben e tij dhe i tregoi koburen që kishte në brez.

Pra siç mund të shihen këto tre figura hoxhallarësh, punua dhe u përpoqën për ditë nga pak, për t’i shërbyer me devotshmëri popullit dhe vendit, e kur e kërkoi nevoja ta mbrojnë këtë vend edhe këtë popull nuk hezituan aspak të marrin edhe armët për të luftuar.

RAH