Loading...
Enciklopedi

Mulla Hasan Nexha

Mulla Hasan Nexha- Myftiu dhe edukatori i shquar kavajas

1866-5 mars 1933

Nga Hiqmet Patozi

Kavaja është qyteti që shquhet si për traditat atdhetare e fetare ashtu edhe për lidhjen e hershme me besimin Islam. Kronikani turk Evlija Çelebi pohon se që në vitet 1660-1665 këtu kishte katër xhami të mëdha me minare dhe katër të vogla pa minare (mesxhide).

Një përfaqësues i denjë i këtyre traditave qe Hasan efendi Nexha i cili nuk është fshirë nga kujtesa popullore e Kavajës dhe më gjerë si emri i edukatorit të shquar fetar, që do të ruhet ndër breza.

Ai bën pjesë ndër ata për të cilët Profeti ynë Muhamedi (as) ka thënë: “Njerëzit e ditur e vazhdojnë misionin e profetëve.”

U lind më 1866 në lagjen Zguraj të Kavajës në një familje të thjeshtë, me tradita të shëndosha qytetare e fetare, me të ardhura modeste. Gjyshi i tij, Mulla Ahmeti, qe mësues dhe hoxhë me emër të mirë, kurse i ati, Ibrahimi, merrej me punë bujqësore, me të cilën mbante familjen.

Në mjedisin familjar dhe qytetar ku u rrit, u ushqye me ndjenja islame, me dashuri për Allahun (xh.xh.), për njerëzit dhe me etje për arsim e dije.

Që në mejtep ra në sy zelli e zgjuarsia e tij, por familja, me mundësitë e saj ekonomike të kufizuara, nuk ia dilte dot ta shkollonte. Në këto kushte, Hasani i vullnetshëm u ndihmua nga daja i tij arsimdashës Hysen Turra (atëherë syndyk emin në administratën turke në Durrës), që me shpenzimet e veta, e nisi për në një medrese me zë të Stambollit, duke i plotësuar kështu një dëshirë të tij të zjarrtë.

Kjo qe një ngjarje e pashlyer për të, që e kujtoi me kënaqësi gjithë jetën. Mbaroi medresenë me rezultate shumë të mira e po në Stamboll ndoqi studimet e larta për teologji. Studenti fatlum dëgjoi këtu profesorë e dijetarë të shquar, përvetësoi disa gjuhë të huaja si: turqisht, arabisht e persisht; fitoi dituri të gjëra islame, shfrytëzoi biblioteka të ndryshme dhe u miqësua me shqiptarë e studentë të huaj me të cilët mbajti letërkëmbim e lidhje edhe pas kryerjes së studimeve. Pa dyshim, edhe këto ndikuan në brumosjen e tij.

Pas kthimit nga Turqia, duke ndjekur rrugën e gjyshit, veshi petkun fetar dhe iu përkushtua tërësisht detyrave jo të lehta të drejtuesit dhe të mësuesit. Vitet e fundit të shekullit të 19-të hoxhën e ditur e gjejnë imam e vaiz në xhaminë Kubelije të Kavajës, të ndërtuar nga Kapllan beu në vitin 1735, ku mbante ligjërata të përgatitura mirë. Me logjikë të fortë e fjalë të zgjedhura bënte të njohur islamin dhe moralin e pastër të tij. Këndonte rrjedhshëm, bukur e saktë, shpjegonte plot kompetencë Kur’anın famëlartë, mesazhet e tij dhe hadithet e Pejgamberit (a.s.), ndaj i bindte dhe i emociononte dëgjuesit e shumtë që e ndiqnin. Predikimet e tij kishin tematikë të ditës e të zgjedhur mirë. Jo rrallë dilte edhe në katunde ku pritej krahëhapur, sepse atje të gjithë i çmonin diturinë, përvojën dhe gojëtarinë.

Shkrim-këndimin shqip e mësoi në moshë të pjekur nga djali i atdhetarit kavajas Haxhi Isuf Kazazi, kështu mbushi një zbrazëti e mundi të studiojë edhe literaturë në gjuhën amtare. Nuk u kënaq asnjëherë me ato që mësoi, pra mbeti student i përhershëm. Përdori, me sa mundi, biblotekën e medresesë, të xhamisë Kubelije dhe atë të familjes që e kishte shumë të pasur (veç dollapeve të mbushura plot, kishte edhe shumë libra në parvazet e dhomës së tij).

I çmuar për kulturën e gjerë dhe aftësitë pedagogjike, në vitin 1916 merr titullin myderriz dhe njëherazi emërohet drejtues në medresenë e qytetit, ku dha një kontribut të pamatshëm për përgatitjen e të rinjve me kulturë të gjerë fetare. Me vullnet, këmbëngulje e dashuri mbolli farën e dijes, u përkujdes të rrisë fidanë të shëndoshë që t’i qëndronin sfidave të jetës. Puna e palodhur shumëvjeçare dha frytet e dëshiruara e la gjurmë. Nga dora e tij, veç shumë e shumë te tjerëve, dolën klerikë të njohur si hafizët: Kadri Popoj, Zenel Sinella, Muhedin Gjylsheni, Gjyl Pashalliu, Muhamed Kollçaku etj; imamët: Mahmud Bushi, Sulejman Dizdari, Shaqir Skuqi, Isa Kazazi etj. dhe myftinjtë si Sulejman Misiri, Osman Xhaferri etj.

Vitet e fundit të jetës flinte në medrese për të qenë sa më pranë nxënësve që i donte shumë. Edhe ata patën konsideratë të lartë për myderrizin e nderuar që punoi si një mekanizëm i vajisur mirë e asnjëherë nuk zuri ndryshk dhe kur dolën në jetë, u përpoqën të ndiqnin shembullin e tij.

Kishte trup të ngjeshur dhe të drejtë, shpatulla të gjëra, vishej pastër e me shije, çallma e xhybeja e tij ndritnin që larg. Kujdesej për shëndetin, se e vlerësonte, ndaj nuk e tepronte kurrë në ngrënie e çdo mëngjes bënte ushtrime fizike dhe ne kohë të mirë ecje të gjata.

E pëlqente të bukurën dhe i kishte për zemër lulet, me të cılat kishte mbushur plot oborrin e shtëpisë. Mbante në shtëpi pëllumba që i ushqente vetë, ndaj kur ai vdiq, ata rrihnin me krahë xhamat e dhomës së tij. Siç duket kishin humbur qetësinë dhe kërkonin ushqim nga ai që kishte mbyllur sytë përgjithmonë dhe prehej në përjetësi.

Qytetarët e Kavajës e përshkruajnë Hasan efendinë plot hire, dinjitoz, autoritar, largpamës të sinqertë, të afërt me të gjitha moshat që edukonte më shumë se me fjalën, me shembullin vetjak të një Islami të devotshëm. Ishte i këndshëm në bisedë dhe shembull durimi. Një herë u ndodh në një ngushticë të pazakontë ekonomike, por i udhëhequr nga bindja se durimi është virtyti i myslimanit, nuk kërkoi ndihmë nga askush. Tregtari i pasur Haxhi Ibrahim Myrta, vjehrri i së bijës, simbol mirësie e bujarie në zonën e Kavajës, që ndihmonte gjithëkënd, u befasua kur mori vesh të vërtetën.

Bashkëqytetarëve u qëndroi pranë në gëzime dhe hidhërime, u përpoq t’u ngrohte zemrat, t’u qetësonte shpirtrat, t’u ngjallte shpresat dhe t’u forconte besimin tek Allahu (xh.xh).

Si drejtues i bashkësisë islame (myfti) nga viti 1914-1929 në Kavajë u përpoq të plotësonte të gjitha xhamitë me pajimet e nevojshme, t’i meremetonte, t’i ndërtonte ku mungonin, t’u siguronte kuadrot e duhur e t’i ndihmonte për kryerjen sa më mirë të detyrës.

Me vartësit ishte i matur dhe me kolegët si: Mytesim Këlliçin dhe Mustafa Varoshin, myfti në Durrës; Ismail Ndroqin, myfti në Kavajë, Tiranë e Durrës; hafiz Ibrahim Rrepishtin nga Shkodra (i internuar në Kavajë); H. Vehbi Dibrën, H. Ali Korçën, H. Ibrahim Kadukun (myfti në Kavajë pas tij), Behexhet Shapatin e plot të tjerë ruajti marrëdhënie të mira gjer në fund të jetës.

Atdhetari Mulla Hasan ka qenë lidhur me jetën politiko-shoqërore të Kavajës e më gjerë. Në librin e tij “Kujtime e shënime pak si historike” avokati Hysen Mushketa tregon: Myftiu i Kavajës Mulla Hasan Nexha në pranverë të vitit të trazuar 1914, u arrestua nga Esat Toptani si kundërshtar i tij dhe si përkrahës i Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme dhe u kërkua dënimi i para muajit të Madhërueshëm të Ramazanit. Pas gjashtë muajsh trupi gjykues i kryesuar nga Xhelal Zogu, e dënoi me varje, por dënimi fatmirësisht nuk u ekzekutua, sepse filloi Lufta e Parë Botërore dhe hyri ushtria austriake në Durrës. Më pas i ndodhi si thotë proverbi persian: “Çdo natë e errët e ka mbarimin e ndritshëm”. Më 1915 autoritetet zyrtare i propozuan postin e nënprefektit të Kavajës, por ai nuk pranoi pasi nuk besonte në pushtet tjetër, veç atij të Allahut (xh.xh.).

Populli e donte dhe e respektonte. Dyqanxhijtë, kur kalonte sokakut të tyre, ngriheshin në këmbë, kalimtarët e përshëndesnin me kënaqësi, madje edhe bejlerët e qytetit kur e ndeshnin, u zbrisnin kuajve, rast ky fort i rrallë.

Vuante nga hipertonia e ditën e tretë të Bajramit në xhami mori një goditje tromboze në tru e qëndroi në shtëpi një muaj i shtruar. Më 5 mars 1933 kur u duk më mirë, familjarët organizuan atje një ceremoni mevludi që e ndoqi me kënaqësi të veçantë. Si të mos dëshironte tjetër, atë mbrëmje dha shpirt. Kjo vdekje e bukur flet shumë!

La pas tri vajza të edukuara mirë, myslimane të devotshme (Zijen, Lytfijen dhe Zyhranë), nga të cilat sot asnjera s’jeton më.

Salaja (lajmërimvdekja) iu bë në minaren e xhamisë Kubelije ku shërbeu mbi 30 vjet, nga tre hoxhallarë, rast i veçantë ky që shpreh vlerësimin e lartë për të. U përcoll me nderime për në varrezat e lagjes Sharrë nga një numër i pafund njerëzish nga Kavaja, Durrësi, Tirana, Shkodra, Berati, Vlora etj, profesorë e nxënës të Medresesë së Përgjithshme të Tiranës, autoritete zyrtare, dashamirës e miq.

Personalitetit të shquar Hasan efendi Nexha i shkon përshtat thënia kuptimplote: “Njeriu nuk është i përjetshëm. Le të përpiqet të jetë e përjetshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë”.

Nga: Hiqmet Patozi