Loading...
Hoxhallarë të persekutuarKontribute

“A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar?”

Roald A. HYSA

 

Një përpjekje në vazhdimësi për të qenë i dobishëm për fe e atdhe i një hoxhe që nuk reshti për asnjë çast së menduari dhe vepruari në dobi të binomit fe e atdhe.

Hafiz Ali Tari- Kraja (1900-1973) është një nga figurat e shquara të komunitetit musliman shkodran, por edhe më gjerë me aktivitetin e tij fetar në dobi të fesë dhe të atdheut. Ai ka një aktivitet të bollshëm si imam dhe hoxhë, por po ashtu edhe në politikë e sidomos në momentet kyçe të historisë tonë. Pena e tij është e mirënjohur për shkrimet e tij të gjata e shteruese në gazetën Dajti në vitet e trazuara 1922-1925, ku debaton e kundërdebaton në faqet e kësaj gazete për problemet e mbulesës së grave etj. Më pas në faqet e revistës Zani i Naltë, si dhe boton një broshurë studimore: “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar?” Në vitin 1939 i kërkohet të dali e të presi në Shkodër ushtrinë italian, porse Hafiz Aliu nuk pranon. Po ashtu në vitin 1942 i ofrohet nga autoritetet qeveritare karrikja e Kryetarit të KMSH-së, porse ai ju vendos disa kushte, të cilat nuk pranohen prej tyre. Në vitin 1942 me rastin e Mevludit- lindjes së Profetit Muhamed a.s. ai ka mbajtur një fjalim në Xhaminë e Fushë Çelës, apo siç njihet në terminologjinë fetare vazë: “Ç’është komunizmi dhe pasojat e tij për popullin shqiptar”. Ai bashkëpunon ngushtësisht me klerin katolik të Shkodrës për të sensibilizuar popullin e Shkodrës ndaj rrezikut bolshevik, ashtu siç kishin vepruar më heret edhe Hafiz Ibrahim Dalliu e Hafiz Ali Korça, si dhe shumë pena të tjera muslimane në faqet e revistës Zani i Naltë e më pas Kultura Islame. Pikërisht këtë lloj veprimtarie nuk mund t’ia falnin komunistët Hafiz Aliut, të cilit iu desh të fshihej pas marrjes së pushtetit nga Partia Komuniste dhe aleatët e saj jugosllavë në nëntorin e vitit 1944. Qëndron i fshehur për disa kohë në vende të ndryshme deri sa dorëzohet më 26 nëntor 1946, sipas komunikatës së Ministrisë së Brendshme. Ndërkaq autoritetet komuniste shpallin një amnisti për të qetësuar sadopak situatën, si dhe për të arritur t’i kapin autoritetet më të rëndësishme të rezistencës anti-komuniste në ato çaste.

Më datë 12 shtator 1946 me një ligj të dekretuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor iu akordohet falja të gjithë atyre që janë në arrati me akuzat kriminel lufte ose armik i popullit[1]. Afati 45 ditor i këtij dekretligji shtyhet deri më 29 nëntor 1946, ditën e “Çlirimit”, pra ditën kur u vendos diktatura komuniste në Shqipëri, ndërsa në tekstin e këtij njoftimi thuhet: “Forcat e Sigurimit dhe populli do t’i ndjekin pa mëshirë deri në çfarosje; Qeveria do të tregohet më e ashpër dhe masat që do të merren do të jenë të rënda.[2]” Pra, kërcënime të ashpra e shoqëruan dekretligjin e faljes, ku më pas duke e parë që nuk kishin shteg-dalje shumë anëtarë të kësaj rezistence dorëzohen duke menduar se do të shpëtojnë pa pasoja të mëdha apo me dënime të lehta. Koha tregoi krejtësisht të kundërtën për hafiz Ali Krajën, hafiz Xhemal Naipin dhe të tjerë, që u dorëzuan në mirëbesim tek autoritetet ushtarake komuniste, ndërkohë që e gjithë Shkodra njihej si vatër e reaksionit borgjezo-fetar.

Bashkimi, e shtunë 30 nëntor 1946, fq. 2.

Në një njoftim të ATSH-së të botuar në gazetën Bashkimi me titull “Krimineli Hafiz Ali Tari u dorëzua” thuhet, se ai është dorëzuar më 26-XI-946 dhe etiketohet si spiun i fashizmit. “Hafiz Aliu ka qenë spiun i fashizmit italian që në kohën e regjimit të Zogut.[3]” Po në të njëjtin njoftim thuhet se ai ka qenë një nga “eksponentët më me rëndësi të organizatës trathëtare Nacional-Indipendente”. Megjithëse regjimi komunist iu kishte premtuar faljen hafiz Aliu dënohet fillimisht me burgim të përjetshëm, e më pas i zbritet dënimi me 25 vjet, dhe lirohet në vitin 1965 pas gati 20 vitesh burgim. Vepra e tij “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar?” arrin t’i shpëtojë peripecive të vitit 1967 pasi hafiz Aliu e gropos diku në kopshtin e tij dhe pas vitit 1990 do të zhgroposej nga pasardhësit e tij për t’u ribotuar disa herë, si një testament i një përpjekje intelektuale.

[1] Bashkimi, e dielë 15 shtator 1946, fq. 1.

[2] Bashkimi, e mërkurë 13 nëntor 1946, fq. 2.

[3] Bashkimi, e shtunë 30 nëntor 1946, fq. 2.