Loading...
Enciklopedi

Myftiu i Dibrës Salih Ferhat Hoxha – ringjalles i davetit

Salih Ferhat Hoxha -(1917-1995) Ai u lind më 1917 në katundin Tomin, pranë qytetit Peshkopi të prefekturës Dibër. Të parët e hershëm të fisit Hoxha, të përmendur me emrat Ali e Ferhat, kanë qenë misionarë vullnetarë për përhapjen e Islamit në trevat shqiptare, për da’ve (ftesë) siç thuhet, kohë para sundimit osman. Pasi kreu më 1932 mësimet fillestare në Internatin e Kastriotit në Dibër dhe më 1939 studimet islame në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, Salihu ushtroi detyrën fetare, për pak kohë si imam tabori në ushtri, pastaj si myfti në Pogradec (1940-1946), Lushnjë (1947-1955) dhe Peshkopi (1956-1967). Më 1942 u martua me Hatixhenë, i ati i së cilës, turk me origjinë shqiptare, ishte myezini i xhamisë kryesore të Korçës. Kur doli në jetë, myftiu i ri, Salih Hoxha ose Ferhati, siç thirrej atëherë me emrin e të atit, e gjente veten midis intelektualëve të tjerë duke aspiruar për të ardhmen. Në Pogradec ai ishte me detyrë fetare dhe si mësues besimi i shkollave të qytetit. Gjatë atyre viteve, Pogradeci qe bërë vatër lufte mes palëve të ndryshme. Kur hynë gjermanët, çiftit të ri iu dogj shtëpia ku banonte me plaçkat dhe librat e rrallë që kishte mundur të vinte. Kjo pati ndodhur në Ramazan. Bashkë me pogradecarët e tjerë morën malin për t’u shpëtuar bombardimeve dhe predhave të mortajave. Ashtu, fshehurazi, Salihu e përcolli Hatixhenë me lurek në krah te prindërit e saj në Korçë ku patën hyrë gjermanët, ndërsa vetë si i ri që ishte, u detyrua të merrte në mes të dimrit rrugën e rrezikshme të Dibrës, përgjatë luginës së Drinit ku vepronin çetat nacionaliste. Atje disa nga bashkëqytetarët pro komunistë e shihnin me dyshim intelektualin e ri dhe i çuan fjalë të largohej. Kështu, Salihu la i dëshpëruar prindërit, vëllezërit e motrat dhe mori rrugën e kthimit nga Tirana. Vitet 1944-1948, që ka hyrë në historinë e diktaturës si “Koha e Koçit”, ishin, me skamjen dhe urinë që kishte pllakosur vendin, vitet e terrorit të tmerrshëm, inkursioneve dhe vrasjeve pa gjyq për të shuar nacionalizmin shqiptar në favor të serbëve. Ato vite shumë klerikë hoqën uniformat dhe zunë punë të tjera për të mbijetuar. Gjatë viteve që shërbeu në Lushnjë, Myftiu pati fituar mjaft popullaritet. Myslimanë e të krishterë ortodoksë e quanin Salihun “Myftiu ynë”. Shpesh ai do të ndeshej me organet e pushtetit lokal për problemet që i takonin dhe kjo bëri që ai të transferohej. Në Dibër, ku më së shumti vepronin teqet, xhamitë e lëna rrënojë, hapeshin dy herë në vit, vetëm për bajrame. Krahas punës së madhe për hapjen xhamive dhe meremetimin e tyre, duke filluar nga ajo e qytetit Peshkopi dhe xhamisë së katundit Dohoshisht, pranë qytetit, të dyja si objekte historike që u bënë vetëm me kontributin e popullit, deri në vitin 1967, Myftiu merrej rregullisht edhe me kualifikimin e imamëve, me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në popull dhe me pajtimin e gjaqeve. Aty ku pushtetarët nuk ia dilnin dot, dërgonin Myftiun dhe, për këtë as i jepnin automjet, as ai ua kërkonte, por shkonte me se të mundej. Këto shërbime pushteti i rrethit nuk ia vuri ndonjëherë në dukje, por autoriteti i Myftiut njihej e vlerësohej kudo në Dibër. Edhe në aktivitetet që zhvilloheshin në qytetin e Peshkopisë ose në takime të ndryshme, Myftiu ishte aq i përgatitur sa të jepte përgjigje në shumë fusha të dijes. Në fillim të vitit 1967, kur regjimi komunist goditi drejtpërsëdrejti lirinë e besimit, klerikët dhe institucionet fetare, përballë një situate të tillë të pashembullt, Myftiu do të kundërshtonte në rrugë ligjore dhe nëpërmjet ballafaqimeve të hapura fushatën dhunuese kundër fesë dhe ndërgjegjes së njeriut. Prind i gjashtë djemve, Myftiu zgjodhi ndër dy alternativat e jetës, atë që i takonte, Rrugën e Zotit, pa u kompromentuar me regjimin komunist dhe tarafet hipokrite. Ai kurrë nuk tha me gojë, firmosi ose u pajtua me diçka që binte në kundërshtim me idealin e tij. Edhe kur u detyrua, për shkak të nevojave të familjes, të punonte në fermë për disa muaj si normist, me të ardhur Ramazani e thirrën në mbledhje për ta demaskuar që të bënte autokritikë e të qëndronte në punë, ai ua tha hapur se agjëronte dhe se nuk pranonte për këtë ndonjë kusht. Nga viti 1991, me riorganizimin e institucioneve fetare, u zgjodh Kryemyfti i Shqipërisë dhe më pas shërbeu si zv. Kryetar i Kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe Myfti i Rrethit Dibër duke qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Me fillimin e proceseve demokratike, Myftiu u angazhua të jepte kontributin e vet modest për një shoqëri të lirë e të civilizuar. Ai ndërroi jetë me 4 Mars 1995 duke lënë familjen, të afërmit, shokët dhe dashamirët e shumtë, kujtimin e prindit, të klerikut dhe mendimtarit të përkushtuar në Islam. Megjithëse kaloi shumë trazira nën regjimin komunist ai nuk hoqi dorë nga puna studimore, në këto rrethana më 1974, Myftiu i hyri shqipërimit të Kuranit. Duke e lënë përkthimin në dorëshkrim Myftiu shpresonte që në të ardhmen kjo punë të vijonte më tej për t’i dhënë lexuesit shqiptar një përkthim me vlerat që i takojnë Kuranit të Shenjtë. Nga poezia arabo-islame, Myftiu kishte një tërheqje të veçantë për poemën e famshme të poetit egjiptian Busajriut: “Kaside Burde”, një elegji për kujtimin e Profetit Muhamed (A.S.). Tek shqipëronte vargjet e kasides, Myftiu gjente prehje shpirtërore në ato kohë zbrazëtie e dëshpërimi. Më 1980, Myftiu i kushtoi me pendën e vet një poemë Muhamedit alejhis-selam (Paqja qoftë me Të!) Në ato vargje spikat shpirti i trazuar ku njëherësh bashkëjetonin, ushqeheshin dhe rriteshin dy ndjenja të ndrydhura: dashuria për figurën e ndritur, thellësisht njerëzore të Profetit dhe, në antitezë, urrejtja për despotët e tiranët. Myftiu ka pasë shkruar në prozë e poezi edhe disa trajtesa të shkurtra, meditime dhe krijime si p.sh.: “Besimi në Zotin” ku theksohej sensi i besimit fetar përkundër mungesës materialiste të ndërgjegjes, “Etika Islame”, “Ç’është njeriu”, “Ateizmi”, fragmente të shqipëruara nga: “Hajat’ul Hajvan” (Jeta e Gjallë), një volum enciklopedik në prozë e në vargje, shënime historike dhe një përmbledhje e shkurtër për jetën e Ibn’ul Arabiut, njërit prej mendimtarëve më të mëdhenj islamë në të gjitha kohët.[1]

[1] Kudret S. Hoxhahttp://www.kmsh.al/personalitete/611-salih-ferhati-hoxha-1917-1995.html