Loading...
Enciklopedi

Junuz Bulej përkthyes i Kuranit Famëlartë dhe drejtor i Medresesë

Junuz Bulej – (1892-1966) Familja Bulej i përket kontingjentit të parë të familjeve podgoriçane të shpërngulura me forcë nga persekutimi malazez ndaj popullsisë muslimane. Gjatë viteve 1905-1910 ndjek shkollën ruzhdije në Shkodër, ku do të dallohej si nxënës i shkëlqyer. Pas mbarimit të shkollës do ta mbanin po aty si mësues dhe njëkohësisht gjatë kësaj kohe ai ka përvetësuar gjuhët turqisht, arabisht dhe frëngjisht, ndërsa gjatë pushtimit austriak të Shkodrës në Luftën I Botërore përvetëson edhe gjermanishte. Shumë vite më pas do të përvetësonte edhe italishten, anglishten e rusishten, gjuhë të cilat do t’i shërbenin atij për përkthimet dhe për profesionin e përkthyesit. Deri në vitin 1924 do të shërbejë kryesisht në arsim si mësues, dhe nga ky vit e deri në vitin 1927 do të shërbejë si përgjegjës finance në Bashkinë e Shkodrës. Duke çmuar aftësitë dhe kulturën e tij ftohet nga Salih Vuçiterni, drejtor i përgjithshëm i Vakufeve, për të punuar në Komunitetin Mysliman. Nga këtu do të kalojë në Medresenë Alije, e cila në vitin 1929 do të shndërrohet në Medresenë e Përgjithshme, sipas vendimit të Kongresit III Mysliman të vitit 1929. Këtu do të emërohet si nëndrejtor i përgjithshëm ose si drejtor administrativ, duke u ngarkuar edhe me orë mësimi në lëndët: matematikë, fizikë, botanikë, histori feje dhe frëngjisht. Që nga viti 1928 e deri më 1938 bashkëpunon me revistën “Zani i Naltë”, duke publikuar për çdo numër të saj shkrime të ndryshme. Ai ka qenë pjesë e një grupi përkthyesish të Kuranit Famëlartë, vepër e cila ka humbur pas ndalimit të fesë me ligj. Veprimtaria e tij intelektuale si edukator u ndërpre nga dhuna komuniste që u vendos pas vitit 1944. Në vitin 1947 arrestohet dhe me akuza të montuara dënohet në vitin 1948 me 5 vjet burg politik me vendimin nr. 66, dt. 24.II.1948 të Gjykatës së Rrethit Tiranë me akuzën “duke qenë i lidhur me elementët e tjerë reaksionarë ka agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor…”. Brenda në Burgun Qendror të Tiranës duke rënë në kontakt me ajkën e inteligjencës shqiptare arrin të mësojë në një kohë të shkurtër gjuhën ruse dhe të niste më pas punën si përkthyes. Pasi del nga burgu punon si mësues në shkolla të ndryshme. Në moshën 71 vjeç del në pension, por tashmë i sëmurë. Ndërron jetë më 6 maj 1966[1].

[1] Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi. Në kujtim të brezave, Shkodër 1997, fq. 399-410.