Loading...
Enciklopedi

Hafiz Musa Dërguti shërbestari i devotshëm

Hafiz Musa Dërguti – (1888-1961) I biri i Et’hem Dërgutit i lindur më 03.03.1888. Mësimet fillestare të fesë i mori në shtëpinë e vet dhe në mejtepin e lagjes Ndocej në Shkodër, ku u shkolluan dhe edukuan shumë figura të shquara të qytetit. Më pas kalon për t’i thelluar më tej studimet e tij në Medresenë e Pazarit në qytetin e lindjes për t’i vazhduar më tej ato, pra me studimet e larta në Stamboll. Këtu i vazhdon studimet me shpenzimet e familjes së vet që gëzonte një gjendje shumë të mirë ekonomike. Një pjesë e dokumenteve të familjes Dërguti rreth arsimimit të hafëz Musait mungojnë për shkak të persekutimeve të shumta që përjetoi ai gjatë regjimit monist. Pas kthimit nga Stambolli ai e fillon shërbimin e tij si imam dhe hoxhë i nderuar në xhaminë e Shaban efendisë, e cila nuk ekziston më për shkak të ndryshimeve urbanistike të qytetit të Shkodrës. Ai e kreu detyrën e imam-hatibit me shumë përkushtim, duke iu dhënë qytetarëve të Shkodrës shpresë dhe duke u përpjekur që t’i udhëzojë ata në ditët e vështira, që përjetoi jo vetëm qyteti i Shkodrës, por e gjithë Shqipëria. Fjalët e tij të sinqerta dhe predikimet e tij të zjarrta mbi Islamin dhe familjen e bënë atë të dashur për të gjithë qytetarët shkodranë. Në gusht të vitit 1920 forcat ushtarake jugosllave pushtojnë Kelmendin, Kastratin, Shkrelin e Koplikun. Së bashku me 3,000 luftëtarë, të cilët kishin dalë të përballonin agresionin jugosllav u rreshtua edhe hafiz Dërguti, i cili tregoi një trimëri të rrallë. Bashkëkohësit e tij tregojnë se kur iu plagos një shok ai e nxori nga beteja duke e mbajtur në krahë dhe e çoi deri në spitalin e Shkodrës. Vitet 1920-1924 janë të mbushura plot me tensione politike dhe hafiz Dërguti merr pjesë gjallërisht në jetën politike dhe përkrah opozitën e Fan Nolit. Pas Triumfit të Legalitetit ai arrestohet dhe mbahet për afro 2 muaj. Me të kanë qenë të burgosur H. Ibrahim Repishti, dom Pjetër Tusha etj., dhe me ndërhyrjen e klerit të lartë mysliman ai lirohet dhe vazhdon normalisht veprimtarinë e tij. Me përhapjen e ideve komuniste ai e kupton menjëherë rrezikun e tyre dhe ai kthehet në një luftëtar të flaktë kundër kësaj ideologjie. Ai e rrit veprimtarinë e tij anti-komuniste në të gjitha rrethet shoqërore sidomos gjatë periudhës 1939-1944 dhe për këtë dënohet me vdekje nga grupimet komuniste të asaj kohe. Pas mbarimit të Luftës II Botërore në vitin 1945 arrestohet dy-tre herë nga regjimi komunist i instaluar asokohe për t’u arrestuar përfundimisht më 11.09.1946, ku me rastin e kryengritjes së Postribës akuzohet si pjesëmarrës i saj dhe dënohet me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie me akuzën e shëmtuar armik i popullit dhe lirohet më 08.11.1956. Vuan shumë në burgun famëkeq të Burrelit, por për asnjë çast nuk heq dorë nga falja, megjithëse e mbanin vazhdimisht të lidhur me të tjerë. Kur doli nga burgu ishte krejtësisht i vrarë e i drobitur nga torturat e shumta dhe qëndrimi në birucat e Burrelit dhe tashmë në moshë të madhe 66 vjeç. Gjatë kohës së dënimit ai nuk u përul dhe në një rast kur një polic burgu e shqetësoi gjatë faljes ai më pas pa u trembur fare e qëllon më pagurin e ujit. Gjithashtu me hyrjen e tij në burg i përndiqet e gjithë familja dhe i internohet në Tepelenë, Lushnjë e i lëvizin në disa vende të tjera internimi të Shqipërisë, ndërsa dy nga djemtë e tij dënohen gjithashtu nëpër burgje, kurse dy të tjerët i arratisen. Hafiz Dërguti ndërron jetë më 15 mars 1961 dhe përcillet më nderime nga të gjithë qytetarët e Shkodrës, të krishterë e muslimanë, duke u bërë kështu funerali i tij një sfidë për diktaturën[1].

[1] Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi. Në kujtim të brezave, Shkodër 1997, fq. 154-172.