Loading...
Enciklopedi

Hafiz Muharrem Mullahi – Myftiu i Tiranës

Hafiz Muharrem Mullahi – (1880-1964) Figurë e shquar e Islamit shqiptar me një veprimtari të gjerë dhe një kontribut të vlefshëm administrativ për Komunitetin Mysliman Shqiptar për një periudhë 50-vjeçare. Mësimet fillestare e të mesme i kreu në Dibër të Madhe dhe ixhazetin (dëftesën) e ka marrë po në këtë qytet. Veç këtyre ka bërë edhe Kursin e Normales në Stamboll. Ai ka qenë inspektor i Shkollave Fillore në Dibër e në Mat e më pas edhe në Sinop. Pas Shpalljes së Pavarësisë kthehet në atdhe në vitin 1914 dhe fillon veprimtarinë e vet pas një viti më 1915, kur edhe emërohet në Skrapar si kadi, ku e ushtron këtë detyrë për 6 muaj. Nga aty transferohet në Fier ku shërben për 4 vjet rresht, e pas këtij qëndrimi transferohet në qytetin e Elbasanit dhe ushtron njëkohësisht detyrën e myftiut dhe të kadiut për 6 vjet. Nga Elbasani kalon në Korçë në vitin 1925 dhe nga Korça vjen në Tiranë ku në vitin 1929 caktohet si Kryemyfti i zonës së Tiranës, vend ky që iu konfirmua edhe pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të KMSH në 1 maj të vitit 1945. Po ashtu ai zgjidhet edhe një nga tre anëtarët e Këshillit të Përhershëm të KMSH, së bashku me Sadik Begën dhe Hamdi Këlliçin. E nxjerrin në pension në vitin 1952, dhe derisa ndërron jetë më 19 gusht 1964 nuk i lidhet asnjë lloj rroge apo pensioni për të jetuar[1].

[1] Të dhënat janë marrë nga nipi i tij Bujar Mullahi.