Loading...
Enciklopedi

Sadik Bega shembulli i një intelektuali musliman

Sadik Bega (?-1960) Rrjedh nga një familje gjirokastrite me përkushtim fetar. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, studimet e mesme i ndoqi në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës, të cilën e përfundoi me rezultate shumë të mira në vitin 1932. Sadik Bega i përket kontigjentit të parë të maturantëve që nxori kjo Medrese. Studimet e larta i vazhdoi në Kajro, ku u pajis me një kulturë të gjerë fetare. Zotëronte disa gjuhë. Me t’u kthyer në atdhe, ai u angazhua në një punë të gjerë kulturore islame. Në bashkëpunim me Sherif Putrën themeloi revisten fetare-letrare-ditunore dhe artistike “Kultura Islame”, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar. Me aftësi ai diti të mbledhë në këtë revistë intelektualë të sferave të ndryshme dhe të besimeve të ndryshme, duke e bërë këtë organ një nga revistat më të lexuara në të gjitha shtresat myslimane. Më 1942 përktheu dhe publikoi në shqip tri temat që Prof. Aleksandër Koire mbajti me rastin e 300-vjetorit të botimit të “Diskutimit mbi metodën” të Dekartit. Këtë libër (100 faqesh) ai e titulloi “Tre mësime mbi Decartes”. Këto janë “Bota e pasigurt”, “Kozmosi i zhdukur” dhe “Gjithësia e gjetur rishtazi”. Përmes këtij libri, lexuesit njiheshin me rolin që luajti mendimi i Dekartit, i cili bëri një kryengritje të vërtetë shkencore e filozofike në kohën e tij. Sadik Bega ka përkthyer edhe nga arabishtja. Një nga këto përkthime, më të njohura të tij, është “Jeta e Muhammedit”, vepër e shkrimtarit të njohur egjiptian Muhammed Hysein Hejqelit ish-Ministër i Arsimit të Mbretërisë Egjiptiane. Një nga fushat që ka lëvruar si studiues ka qenë dhe ajo biografike me profil kontributi i figurave të shquara islame në historinë e Shqipërisë. Sadik Bega vdiq në korrik të vitit 1960[1].

[1] Zekaj, Ramiz. Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, AIITC, Tiranë 2002, fq. 320-321.