Loading...
Enciklopedi

Hafiz Abdullah Zëmblaku – (1891-1960)

Hafiz Abdullah Zëmblaku – (1891-1960) Lindi në Qytetin e Bilishtit më 1891 dhe ka jetuar në fshatin Zëmblak të Korçës. I ati i tij ishte mësues feje dhe gjyshi po ashtu. I ati quhej Salih Hulusi dhe ka shërbyer mbi 30 vjet si mësues ruzhdie në disa qytete të Shqipërisë. Hafiz Abdullai e ka kryer gjimnazin në Prilep (Maqedoni) dhe e mbaron shkëlqyeshëm atë në vitin 1910, kur ishte vetëm 19 vjeç dhe më pas shkon në Stamboll për të kryer studimet e larta në teologji, ku pranohet me konkurs në degën e Ilahijatit. Pas mbarimit me sukses të shkollës së lartë ai merr edhe titullin hafiz. Pasi diplomohet Hafiz shërben në ushtrinë turke si oficer për disa vjet dhe kur mbaron Lufta I Botërore kthehet në Shqipëri. Fillimisht emërohet Imam Hatib në Zëmblak më pas (1921) me vendim të Ministrisë së Arsimit emërohet mësues në Kuç-Belorta. Pas 5 vjetësh ai e braktis këtë detyrë pasi pasioni i tij ishte Feja Islame dhe i përkushtohet me mish e shpirt fesë dhe mësimit të saj nga moshat e reja. Pastaj ai merret me përkthime librash fetare dhe me krijimet e tij origjinale në këtë fushë.

Hafiz Abdullai ka botuar mbi 28 libra, ku të gjitha këto botime kanë qenë për mësimin e gjuhës shqipe dhe të Fesë Islame dhe për një kohë të gjatë ka punuar në Shqipërinë e Mesme, si mësues dhe si Hafiz. Një rëndësi të madhe ai i ka kushtuar rrënjosjes tek të rinjtë të riteve fetare, tolerancës fetare dhe sidomos mësimit të Mevludit, që është edhe vepra e tij më e njohur. Regjimi i Ahmet Zogut e burgosi disa herë, e kërcënoi dhe më në fund e dënoi me vdekje, që iu fal me ndërhyrjen e Nënës Mbretëreshë Sadije dhe kjo vetëm e vetëm se Hafiz Abdullai thoshte, se Mbret dhe Prijës ne duhet të kemi Zotin e jo njeriun dhe këtë gjë ua mësonte fëmijëve, dhe të gjithë atyre që e dëgjonin. Viti i Zi 1967 do ta godiste ashpër veprën e tij pasi pjesa më e madhe e librave të tij do të digjeshin. Hafiz Abdullai do të burgosej tre herë nga regjimi komunist. Vdiq më 31 Gusht 1960 i përcjellë nga tërë muslimanët e zonës së Devollit dhe Rrëzës së Korçës.