Loading...
Figura të shquara

Haxhi Jusuf Aqif Banka- Zhelegu (1864-1944)

Jusuf Aqif Banka- Zhelegu (1864-1944) lindi në vitin 1864 në Tiranë. Pas mbarimit të Shkollës Plotore në Tiranë shkoi në Stamboll, ku edhe diplomohet në Degën e Financës më 1887. Pas mbarimit të studimeve kthehet në Tiranë dhe për shkak të nënpunësisë së tij njihet me mbiemrin Banka.

Me cilësinë e sekretarit u bashkua me Abdi e Refik Toptanin. Shefik Kondin e H. Ibrahim Dalliun dhe formojnë klubin “Bashkimi”. Ai është një nga firmëtarët e telegramit të Pavarësisë më 26 nëntor 1912. Arrestohet dhe burgoset dy herë nga forcat e Haxhi Qamilit. Pas vrasjes së ministrit Nexhati Libohovës më 27 maj 1915 emërohet ministër i Financave. Pas rënies së qeverisë në janar 1916 largohet së bashku me Esat Pashë Toptanin në drejtim të Selanikut. Ai kthehet në Shqipëri në vitin 1918 dhe shërben nga 12 janari 1919 si nënprefekt i Kavajës. Jusuf Banka ka qenë nënprefekt i Tiranës nga 28 dhjetori 1920 – 26 prill 1921. Deputet i Durrësit në zgjedhjet e 5 prillit 1921 dhe përfaqësues i Partisë Përparimtare. Ai u zgjodh kujdestar i Kryesisë së Këshillit Kombëtar në periudhën 9 maj 1921 -3 mars 1923. Në vitin 1921 u caktua i plotfuqishëm i Qeverisë për shtypjen e kryengritjes së Mirditës. Më 12 dhjetor 1921 u propozua nga Rexhep Mitrovica për kryeministër, por nuk u pranua nga Këshilli i Naltë. Pas Kryengritjes së Qershorit 1924 ishte njëri prej drejtuesve të Partisë Demokrate Nacionale në tetor 1924. Në bashkëpunim me Haki Teufikun, Rexhep Kondin dhe Hafiz Dalliun nxjerr gazetën Xhoka organ i Partisë Radikal-Demokrate në 11 numra gjatë viteve 1923-1924. Më pas e vazhdon bashkëpunimin me Hafiz Dalliun në gazetën e mirënjohur për tiranasit Dajti gjatë viteve 1924-1926. Vdiq më 1 shtator 1944[1].

[1] Bakiu, Gazmend A. dhe Dervishi, Kastriot, Tirana, prefektët dhe nënprefektët e saj 1912-2017, ALSAR, Tiranë 2017, fq. 48.

Leave a Reply

Your email address will not be published.