Loading...
Enciklopedi

Hoxhë Sali Ismail Malja i Elbasanit

Hoxhë Sali Ismail Malja nga Elbasani jetoi rreth viteve 1901-1954. Mbasi kreu studimet teologjike në Stamboll ai rikthehet në vendin e tij duke shërbyer si Imam në Xhaminë e Sulejman Pashës tek tri urat dhe me një vendim të Komunitetit Mysliman nr. 188 të vitit 1951 emërohet imam tek Xhamia Mbret brenda Kalasë në Elbasan. Dinte disa gjuhë të huaja dhe ishte njeri me vlera të larta njerëzore. Kishte një zë shumë të bukur teksa këndonte Kuranin dhe njerëzit e respektonin të gjithë.

Përveç rolit të imamit ai zotëronte dhe profesionin e rrobaqepësit duke qenë duarartë dhe i përpikte. Për disa kohë ai ka mbajtur dhe rolin e Myftiut në qytetin e Elbasanit. Njohja e gjuhëve të huaja dhe studimi në Stamboll kishin motivuar tek ai edhe studimin e fushës së mjekësisë popullore. Mbesa e tij Elvira Mezini thotë: “Ai kishte një libër enciklopedik me bimë mjekësore dhe asnjëherë nuk pranonte t’iu bënte njerëzve nuska për shërim, por iu rekomandonte bimët mjekësore për sherim.”. Kjo duke u nisur nga parimi profetik, se për çdo sëmundje Zoti ka sjellë ilaçin dhe profeti Muhamed a.s thotë, kurohuni me ilaçe të dobishme. Ideja për mos-përdorimin e nuskave ishte, se kishte karakter fisnik dhe punëdashës, duke dëshiruar që Kuranin njerëzit ta mësonin dhe ta përvetësonin dhe jo ta varnin në qafë. Sikurse ilaçi nuk sjell dobi nëse e var në qafë dhe nuk e pi, po ashtu edhe Kurani nuk sjell dobi, nëse nuk e lexon dhe nuk e praktikon, por e mban në forme nuske. Duke qenë i ri dhe aktiv ai mundohej me mish e me shpirt për të ndihmuar njerëzit dhe për t’i shërbyer sa më mirë komunitetit elbasanas.

Xhemis Stafa