Loading...
Faqja kryesore

Selman Stërmasi dhe biografia e keqe

 

Nga Roald A. HYSA

 

Selman Stërmasi dhe kontributi i tij për Tironën është një gjë e mirënjohur për të gjithë qytetarët tironas. Një burrë me integritet të lartë moral, i cili kaloi persekutime nga më të ndryshmet nga regjimi komunist, vetëm pse ishte i pasionuar pas futbollit dhe skuadrës së kryeqytetit Tirana, së cilës i kushtoi të gjithë jetën e tij profesionale. Persekutimi i filloi pas vitit 1945 dhe sidomos pas krijimit të dy skuadrave të tjera Partizanit dhe Dinamos, të cilat qysh në krijimin e tyre e shihnin si rivalen numër një Tiranën (e cila më pas u emërtua 17 nëntori). Nga libri i studiuesit të mirënjohur Ali Musa Basha marrim vesh një fakt të ri për jetën e këtij menaxheri e zbuluesi talentesh futbolli të shquar tiranas. Ai ka shërbyer edhe si profesor i fizkulturës në Medresenë e Tiranës gjatë periudhës kur në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka qenë i nderuari Hafiz Musa Ali Basha, i cili po ashtu e ka drejtuar Komunitetin në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për këtë komunitet, por edhe për të gjithë Shqipërinë. Në vitin 1953 Komiteti i Çështjeve Klerike i kishte dërguar një urdhëresë KMSH-së për të larguar nga Komuniteti Mysliman dhe organet vartëse të gjithë personat e padëshiruar politikisht dhe me biografi të keqe. Nga procesverbali i mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të KMSH marrim vesh se një nga këta persona ka qenë edhe Selman Stërmasi. E pra Selman Stërmasi profesor i fizkulturës në Medrese me vendim të Këshillit të Përgjithshëm largohet nga stafi i shkollës si person i padëshirueshëm politikisht[1]. Po ashtu largohen edhe mësuesit e tjerë të nderuar Jonuz Bulej, Ymer Saraçi e Hysni Jegeni. Selman Stërmasi etiketohet për këtë rast edhe si kunati i Reuf Ficos, ish-ministër i jashtëm i Shqipërisë para vitit 1945. Hafiz Musa Ali Basha i ka kundërshtuar të gjithë këto shkarkime të vendosura nga Këshilli i Përgjithshëm, duke qenë vota e vetme kundër. Madje për shkak të kësaj Hafiz Musai pak kohë më pas u detyrua të japi dorëheqje me motivacionin, se e kishte kthyer Komunitetin në strehë të personave me biografi të keqe dhe të padëshiruar politikisht nga regjimi komunist.

[1] Basha, Ali M. Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2011, fq. 490.