Loading...
Enciklopedi

Hafiz Isa Domni – (1886-1951)

Hafiz Isa Domni – (1886-1951) Ai ka lindur në vitin 1886 në qytetin e Shkodrës, nga një familje qytetare me tradita fetare. Edhe i ati i tij Mulla Mahmudi ka qenë një hoxhë i nderuar dhe me detyrën e “gjyqtarit paqtues” në Lezhë dhe imam në Shkodër. Mësimet fillestare në fe i mori nga i ati dhe në moshën 7-vjeçare vazhdon mejtepin e Mulla Medos pranë Xhamisë Plakë, ku pati si mësues Mehmet Sukniqin dhe Mulla Medon. Hafiz Isai, siç e thërriste populli shërbeu në xhamitë e rrethit të Shkodrës si imam qysh në moshë të re dhe e justifikoi veten duke shfaqur një përgatitje të lartë. Në vitin 1906 caktohet në Lezhë imam dhe në këtë detyrë ai drejtohet nga i ati, që në atë edhe ai kryente në Lezhë detyrën e gjyqtarit paqtues. Me pushtimin e Lezhës dhe Shkodrës nga serbo-malazezët në vitin 1911, i ati vendos të largohet nga Shqipëria dhe të shkojë në Egjipt familjarisht. Pasi mbërrijnë në Aleksandri i ati i Hafiz Isait vdes dhe për shkak të kushteve jo të mira ai shkon në Stamboll për të vazhduar studimet në fakultetin teologjik. Krahas studimeve ai merr kontakte me dijetarë dhe patriotë shqiptarë, si Haxhi Vehbi Dibra, një ndër ulematë e mëdhenj dhe patriot i shquar shqiptar. Pas përfundimit të studimeve merr ixhazetin dhe kishte njohuri të pasura mbi historinë e vendeve të Lindjes, mëson kështu gjuhët arabe, turke e perse dhe merr titullin e shquar hafiz i Kuranit. Pasi kthehet në Shkodër në vitin 1916 bashkëpunon me Haxhi Vehbi Dibrën në ngritjen e Gjyqit të Naltë Sheriatit, ku zgjidhet kryesekretar. Krahas kësaj detyre ka drejtuar edhe revistën “Zani i Naltë” organ i KMSH-së për 10 vite rresht. Gjithashtu ai ka qenë inspektor i provimeve të Maturës në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës, si dhe inspektor i xhamive të Shqipërisë për të cilat kujdesej vazhdimisht për mbarëvajtjen dhe funksionimin e tyre të rregullt. Njëkohësisht ai vazhdoi ta kryejë detyrën e kryesekretarit të KMSH-së deri në vitin 1951, kohë kur lirohet nga detyra për arsye moshe, duke i shërbyer Komunitetit për 35 vite. Hafiz Isai ndërron jetë në po të njëjtin vit[1].

[1] Bala, Smajl. Institucionet islame dhe hoxhallarët e Shkodrës, Camaj-Pipa, Shkodër 2005, fq. 47-48.