Loading...
Figura të shquara

Salih Vuçiterni Deputet i Kosovës në Parlamentin e Shqipërisë

Salih Vuçiterni – (1881-1949) Lindi në në vitin 1881 në Vuçiternë, Kosovë. Kryen studimet në Stamboll në Shkollën Normale, si dhe studimet e larta për Fenë Islame, po ashtu praktikën pedagogjike e kryen në Stamboll. Ka qenë hafiz Kurani. Më 6 shkurt 1910 – 30 dhjetor 1912 emërohet drejtor i Shkollës Normale Dibër. Më 24 qershor – 2 tetor 1919 inspektor i arsimit në Shkodër. Nga tetori 1919 deri më 2 qershor 1920 nënprefekt i Matit dhe më 3 qershor 1920 deri më 28 dhjetor 1920 emërohet nënprefekt në Tiranë. Zgjidhet deputet i Dibrës më 1922-1925 në Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kushtetues, duke qenë mbështetës i Ahmet Zogut. Delegat i Zerqanit në Kongresin Musliman, që i zhvilloi punimet më 23 shkurt deri më 12 mars 1923 në Tiranë, ku u shpall mëvetësia e xhamisë shqiptare nga Meshihati i Stambollit. Nismëtar i reformave të brendshme në KMSH dhe në përmirësimin e punës në Medresenë e Naltë të Tiranës në vitin 1927, ku ka qenë pjesë e një debati publik mbi nevojën e këtyre reformave. Ministër i Punëve Botore më 11 maj 1928- 5 mars 1930. Nënkryetar nderi i Komunitetit Musliman në kongresin e 6 korrikut 1929. Deputet i Kosovës 1928-1930 dhe më 1937-1939 në Parlamentin e Shqipërisë. E dorëzon mandatin e deputetit për t’u emëruar më 9 dhjetor 1930 drejtor i përgjithshëm i reformës agrare. Më 29 korrik 1931 emërohet nga Këshilli i Ministrave anëtar i Komisionit për shitjen fiktive të tokave. Ka shkruar një libër për nder të Nënës Mbretëreshë Sadije më 1935. Drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve nga 1921-1939 dhe 1942-1945. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939 internohet në Itali për dy vjet e gjysmë, ndërsa regjimi i ri ia konfiskoi pasurinë. Pas kthimit në atdhe emërohet deputet në Kuvendin Kombëtar të 1 tetorit 1943 si personalitet. Pas marrjes së pushtetit nga Partia Komuniste më 1944 burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit në tetor të vitit 1949[1].

[1] Dervishi, Kastriot. Historiku i Prefekturës së Tiranës 1912-2007, fq. 21.