Loading...
Enciklopedi

Mulla Idriz Gjilani- dëshmor i atdheut

 

Mulla Idriz Gjilani – (1901-1949) Mualim dhe fetar i shquar për oratorinë e tij, atdhetar dhe politikan që mbrojti me fjalë dhe me armë bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, për të cilat sakrifikoi dhe jetën. Mulla Idrizi ka lindur në fshatin Velekincë, afër Gjilanit më 4 qershor 1901. Ndjek mësimet fillore në mejtepin e Cernicës, për t’i vazhduar më tej në medresenë “Atik” të Gjilanit. Në moshën 25-vjeçare caktohet imam dhe shërben në Karadak e Hogoshtë. Më 1941 caktohet bashvaiz në Ulema-mexhlisin e Vakëfit të Shkupit. Gjatë kohës si hoxhë e bashvaiz zhvilloi një veprimtari intensive në fushën e edukimit duke hapur mejtepe dhe duke e edukuar rininë me frymë atdhetare e duke e nxitur atë për t’i dalë kundra genocideve serbo-bullgare. Mulla Idrizi luftoi kundra shpërnguljes me forcë të shqiptarëve nga trojet e tyre kudo që ishte në mexhlise, xhami e deri në ceremonitë e vdekjes. Gjatë kohës kur kryente detyrën e bashvaizit ai u bë iniciator i hapjes së shkollave të reja. Vetëm në zonën e Gjilanit u hapën 39 të tilla, të cilat zgjuan te brezi i ri ndjenja të zjarrta fetare dhe ndërgjegjen kombëtare. Pas prillit të vitit 1941 iu kushtua plotësisht veprimtarisë politike duke luftuar pa pushim kundër serbo-bullgarëve dhe kundër ideologjisë famëkeqe komuniste. Periudha më e zjarrtë e veprimtarisë së tij politiko-luftarake është ajo midis viteve 1944-1949, për të ardhur më datë 25-26 nëntor 1949, kur armiqtë e kombit shqiptar e dogjën në zjarr për të mbetur si shembull për brezat e mëvonshëm.