Loading...
EnciklopediFigura të shquara

Hafiz Mustafa Varoshi – myftiut që ia shkulën mjekrën komunistët

Hafiz Mustafa Varoshi (1897-1948) – Ai u lind në qytetin e Durrësit, ku edhe kryen filloren dhe Medresenë e qytetit. Studimet e larta i kryen në Kajro, në universitetin e El Az’harit. Kthehet përsëri në Durrës dhe emërohet në vitin 1924 imam në Xhaminë e Varoshit të qytetit në moshën 27 vjeçare. Po ashtu shërben pranë Myftinisë së qytetit dhe bashkëpunon me myftiun Ismail efendi Ndroqin. Më pas ai e merr ai drejtimin e Myftinisë në vitin 1943. Ai ka dhënë një kontribut të madh veçanërisht në ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Durrësit në periudhën e urbanizimit të qytetit. Vlerësohet gjithashtu për devotshmërinë dhe oratorinë e tij të pashembullt. Një prej shkaqeve të burgosjes se tij është, se hafizi i nderuar politikën antifetare komuniste nuk e ka kursyer publikisht duke e sulmuar në hytbet e tij të xhumasë. Shquhet për kulturën e tij të gjerë teologjike, si dhe për një bibliotekë mijëra vëllimëshe, e cila iu sekuestrua e gjitha pasi arrestohet në vitin 1945. Gjatë gati katër viteve të burgimit u torturua çnjerëzisht nga hetuesit, duke iu shkulur mjekra, por ai nuk dorëzohet për asnjë çast. Me vendim nr. 702, dt. 20/12/1947 të Gjykatës Ushtarake Tiranë  është dënuar si “armik i popullit” sipas nenit 3 të ligjit 373 me 20 vjet privim lirie me punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile e politike. Vdes tragjikisht në burg nga torturat e pësuara në vitin 1948. Pas ndërrimit të regjimeve në vitin 1993 ai dekorohet pas vdekjes nga presidenti me medaljen e lartë “Martir i Demokracisë”. Gjithashtu Medreseja e vajzave në Durrës mban emrin e tij[1].

[1] Ky profil u ndërtua me të dhënat e furnizuara nga e bija e Hafiz Mustafa Varoshit, si dhe: Hidri, Sali. Durrësi… 1900-1939, sh.b. Acustica, fq. 171.