Loading...
Enciklopedi

Hafiz Ibrahim Kaduku – drejtor i Medresesë Shkodër

 

Hafiz Ibrahim Kaduku – (1869-1949) Klerik i përmasave të rralla dhe mësues e edukator i shquar, i lindur në Shkodër më 05.08.1869, në një familje të njohur e të nderuar qytetare me interesa arsimore e përparimdashëse. I kryen studimet e shkollës fillore dhe të mesme në qytetin e lindjes në Shkodër, për të kaluar më pas në studimet e larta në Stamboll, në universitetin e famshëm “Fatih”, ku kryen studimet teologjike dhe i mbaron me përfundime të shkëlqyera. Për përfundimet e shkëlqyer të arritura prej tij, si dhe për opinionin shumë të mirë që kishte krijuar në personelin e këtij universiteti mbahet si pedagog aty për të dhënë mësim për gjuhët arabe dhe turke. Me kalimin e viteve zgjeron studimet e tij për historinë dhe kulturën arabe e turke dhe kjo ndikon që të caktohet profesor në Akademinë Ushtarake të Turqisë. Në vitin 1905 kthehet në Shkodër dhe martohet e qëndron për disa vite duke ushtruar përsëri detyrën e mësuesit e të imamit në mejtepe, e më vonë edhe në atë Ruzhdije (plotore-tetëvjeçare). Përsëri rikthehet në Turqi për një periudhë 10-vjeçare në vitet 1914-1924. Në vazhdimësi të traditës së krijuar në Shkodër, si kërkesë e përgjithshme dhe si domosdoshmëri për të plotësuar nevojat për të ardhmen, hapet Medreseja e Re nga Hafiz Ibrahim Kaduku dhe drejtori i saj i parë bëhet po ai. Këtu u dalluan edhe një herë aftësitë e tij intelektuale dhe organizative dhe u vu re që Hafiz Ibrahimi kishte ndikimin e teorive pedagogjike e didaktike të Imam Gazaliut. Kjo medrese dhe të gjitha të tjerat ekzistueset në të gjitha rrethet e Shqipërisë u mbyllën me vendim të Kongresit III të Komunitetit Musliman të Shqipërisë në vitin 1929. Pas mbylljes së medresesë ai emërohet menjëherë me dekret të Këshillit të Naltë të Sheriatit si myfti i Kavajës. Po ashtu ka punuar në funksionin e myftiut edhe në Vlorë. Me punën e tij të përkushtuar ai bëri që të rritej numri i besimtarëve në xhami, si dhe shfaqi aftësitë e një administratori të mirë të vakufeve. Ka punuar e vepruar përveç Turqisë edhe në Arabi e Egjipt. E ka kryer Haxhin disa herë dhe është shquar si një kërkues i dijes dhe me vdekjen e tij më 23 maj 1949 u krijua një boshllëk i ndjeshëm në kuadrot islame dhe përcillet me respekt e nderim nga bashkëqytetarët e tij[1].

[1] Në kujtim të brezave, Faik Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, Shkodër 1997, pa shtëpi botuese.