Loading...
Enciklopedi

Islam Hajredin Hoxha i njohur në popull si Hoxhë Novosej

Islam Hajredin Hoxha – (1875-1948) I njohur në popull si Hoxhë Novosej lindi në fshatin me të njëjtin emër, Novosej rrethi i Kukësit, Lumë. Babai i tij Hajredini pati shërbyer në Prishtinë si imam për një kohë të gjatë. Islami ndoqi në fillim mejtepin e fshatit, por detyrohet ta ndërpresë, kur familja e tij internohet në Jemen (1885), sepse i ati kishte qenë pjesëmarrës në kryengritjen anti-osmane të viteve 1884-1885. Pasi i vdes i ati, dy djemtë, një vajzë e një nip të Hajredin Hoxhës i kthejnë në Novosej. Pas kthimit Islami ndjek studimet në një nga medresetë e Prizrenit dhe kthehet në fshatin e lindjes, ku shërben si imam. Në vitet 1908-1911 qëndron si kaçak nëpër male së bashku me të vëllain Bilalin. Më 1911 në një përpjekje me forcat osmane i vritet i vëllai dhe vetë mbetet i plagosur. Në këto çaste kapet dhe dërgohet në burgun e Shtiqnit, që ishte qendra e kajmekamllëkut të Lumës, por arrin të arratiset. Mori pjesë në qëndresën popullore të Lumës kundër pushtuesve serbë 1912-1913, prandaj armiku i djeg shtëpinë së bashku me gruan e vet shtatzënë të ngujuar brenda. Pas çlirimit të krahinës së Lumës nga forcat serbe në dhjetor 1921 Islami punon si imam në Novosej dhe gjatë kësaj kohe aktivizohet në komisionin e pajtimit të gjaqeve. Në vitet 1923-1924 përkrah lëvizjen fanoliste e më pas afrohet me Muharrem Bajraktarin dhe qeverinë e Zogut. Gjatë Luftës II Botërore përkrah lëvizjen antikomuniste, prandaj më pas i digjet përsëri shtëpia dhe iu sekuestrua malli e gjëja. Jeta e tij u karakterizua nga dashuria për atdheun dhe përkushtimi i plotë ndaj fesë islame deri sa ndërron jetë në vitin 1948[1].

[1] Hoxha, Shefqet. Kërkime për besimet fetare në Lumë, GEER, Tiranë 2005, fq. 223.