Loading...
Enciklopedi

Hoxha Tahsini

Hoxha Hasan Tahsini – (1812-1881) lindi në vitin 1812. Është djali i Osman Efendi Rushit Ahmedit, i cili ka qenë një dijetar i shquar; ishte kadi, myfti dhe kryesisht myderriz, nga katundi Ninat, rrethi i Filatit të Konispolit, në Çamëri. Hoxha Tahsini mësimet e para i filloi në Prevezë, kurse të mesmet i filloi në Shkodër, i vazhdoi në Berat, ku i ati Osman Efendiu ishte caktuar myfti e myderriz. Në Stamboll, qysh si student, meqë ishte më i dalluari, më i shquari, më i vlerësuari i japin titullin: Tahsin, të cilin e gëzoi si “mbiemër” tërë jetën. Me një vendim mbretëror, jo vetëm që i dhanë këtë titull, por Hasan Tahsin Efendiun e dërgojnë në Francë për të studiuar. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në Universitetin e Sorbonës në Paris, ku studioi me përkushtim e me shumë vullnet. Ai i përfundon studimet shkëlqyeshëm dhe menjëherë punësohet me vendim sulltanor dhe emërohet Imam në Ambasadën e Perandorisë Osmane në Paris, ku me gjithë studimet, qëndroi afër 16 vjet! Kur kthehet në Stamboll themelon Universitetin Modern të Stambollit, ku dha mësim si pedagog i psikologjisë dhe u zgjodh Rektori i parë i këtij Universiteti. Hoxha Tahsin Efendiu, jo vetëm që nuk e harroi asnjëherë se ishte shqiptar, por meqë ishte ndër shqiptarët më i formuari, më i dituri, më i ngrituri, gjithnjë printe në çështjen kombëtare. Ishte ndër të parët që hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe, po ashtu ishte nga nismëtarët për themelimin e Shoqërisë Kulturore Shqiptare të Stambollit (1879). Ishte nga të parët në themelimin e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Mehmeti, Tosumi, Kasemi, Naimi, Samiu, si edhe atdhetarë të tjerë, J. Vreto, K. Kristoforidhi, K. Hoxhi etj. ishin jo vetëm nxënësit e tij, por edhe bashkëpunëtorët kryesorë të tij. Hoxha Tahsini përveç që ishte atdhetar, ka qenë një nga figurat më kryesore i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ishte njohës shumë i mirë i astronomisë, filozofisë, teologjisë, matematikës, fizikës, historisë, gjeografisë, bujqësisë, letërsisë. Hoxha Tahsini ka shkruar dhe botuar më se 20 libra shkencore, astronomike, psikologjike, pedagogjike. Studimet e tij i botoi fillimisht në revistën shkencore “Mexhmual-i-Ulum”, që e kishte themeluar vetë. Disa nga veprat e tij janë: 1. Historia e krijimit. 2. Themeli i Gjithësisë. 3. Psikologjia apo Dituria e shpirtit. 4. Të fshehtat e ajrit dhe ujit. 5. Rruzullimi i përbotshëm. 6. Pasqyra qiellore etj. Hoxha Hasan Tahsini ndërroi jetë me 4 korrik 1881, në Stamboll, në moshën 69 vjeçare.