Loading...
Persekutimi i hoxhallarëve

Përndjekjet dhe vrasjet ndaj hoxhallarëve nga regjimi komunist

 

 nga Roald A. HYSA

 

Regjimi komunist dhe ideologjia marksiste nuk i toleron fetë, për shkak se i konsideron si ideologji alternative e konkuruese për politikat e tyre dhe për këtë sapo u ndjenë të fortë i luftuan me të gjitha mënyrat fetarët fillimisht dhe më pas edhe doktrinat. Ai i luftoi me të gjitha mënyrat e mundshme dy fetë kryesore në Shqipëri Krishterimin dhe Islamin. Të gjithë fetarët i konsideroi si armiq potencialë pa dallim dhe për këtë i përndoqi duke i vrarë dhe duke i internuar e burgosur. Fillimisht fetarët u sulmuan dhe u luftuan në fillim të marrjes së pushtetit nga ana e Enver Hoxhës dhe Partisë Komuniste si bashkëpunëtorë të okupatorit nazi-fashist apo edhe të regjimit zogollian e në këtë mënyrë për të larguar vëmendjen nga objektivi i vërtetë, pra zhdukja apo asgjësimi fizik i tyre. Në këto momente mbyllet Medreseja e Shkodrës, e cila u hap me shumë mundime nga komuniteti musliman shkodran në vitin 1947 dhe goditet Medreseja e Tiranës duke e kthyer nga një Medrese e Naltë në të mesme, ku pëson ndryshime edhe në prgramin e saj.

Pa dyshim që nga këto lloj politikash goditëse agresive, e sidomos ajo e urrejtjes klasore kanë vuajtur qysh në momentet e para edhe shumë hoxhallarë, të cilat ishin figura të shquara lokale apo edhe kombëtare. Madje pa e marrë akoma pushtetin komunistët i luftuan dhe i vranë pa mëshirë thjesht pse ata ishin kundërshtarë dhe flisnin e bënin propagandë kundër komunistëve dhe lidhjeve të tyre shpirtërore me marksist-leninistët serbo-sllavë e sovjetikë. Për ta ilustruar më thjeshtë mund të sjellim dy raste, atë të hoxhë Selim Brahjes të Saukut, dhe të imamit nga fshati Vrajtë i Peshkopisë Seit Shehu. Të dy këta janë vrarë përpara vitit 1944. Hoxhë Selimi u vra në gusht të vitit 1943 mu në derë të xhamisë së Saukut në ditët e para të muajit të Ramazanit. Hoxhë Seit Shehu ju thoshte fshatarëve nëpër biseda, se komunistët do t’ua marrin tokën e pronat, ashtu si në Bashkimin Sovjetik, dhe do të vuanin për bukën e gojës. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “axhitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar nga një gjykatë partizane e Brigadës V me komandant Shefqet Peçin më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria. Me ardhjen në fuqi të regjimit komunist të Enver Hoxhës fillon zyrtarisht përndjekja edhe e hoxhallarëve kundërshtarë, ku arrestohen e burgosen të gjithë ata hoxhallarë që kishin shërbyer në rangjet e larta të Komunitetit Mysliman, si hafiz Sherif Langu kryetar i KMSH-së, hafiz Ismet Dibra drejtor i Medresesë së Tiranës, Hafiz Ali Korça internohet në fshatrat e Kavajës e Hafiz Ibrahim Dalliu burgoset si dhe shumë hoxhallarë të tjerë. Po ashtu arrestohen shumë myftilerë si hafiz Mustafa Varoshi, i cili vdes në burg nga torturat e rënda që i bënin oficerët e Sigurimit, hafiz Xhemal Naipi, ish-kryetar i parlamentit shqiptar do të vdiste në qelitë e burgjeve komuniste dhe sot nuk i dihet ku e ka varrin. Në vijim do të gjeni një listë me hoxhallarët e vrarë apo të pushkatuar nga regjimi komunist dhe që vdiqën burgjeve nga torturat e ndryshme. Kjo listë për momentin është e përkohshme, sepse mendojmë se akoma nuk kanë dalë nga arkivat shumë gjëra, që u mbajtën të fshehta nga regjimi komunist për arsye të ndryshme.

Listë me hoxhallarë që u vranë nga komunistët me gjyq e pa gjyq

  1. Hoxhë Selim Brahja – i njohur si Hoxha i Saukut vrarë në gusht 1943 nga njësiti i Çetës partizanëve të Pezës.
  2. Imam Seit Idriz Shehu nga fshati Vrajtë i Peshkopisë mbaron studimet në Prizren me Hafiz Shabanin. Ka dhënë mësim në mejtepet e xhamive dhe ka qenë imam në fshatrat: Deshat, Borovjan, Grevë dhe Zimur. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “axhitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar nga një gjykatë partizane e Brigadës V me komandant Shefqet Peçin më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria.
  3. Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit – i burgosur në vitin 1945 dhe i vdekur në burg nga torturat çnjerëzore 1948.
  4. Imam Liman Shabani -vdekur në burg më 1945.
  5. Imam Met Troci – dënohet fillimisht me vdekje dhe më pas i zbritet dënimi me 30 vjet burgim, ka vdekur në burg më 20 maj 1947 në rrethana të panjohura.
  6. Imam Ahmet Hysejni – dënohet me pushkatim dhe më pas i kthehet vendimi me burgim të përjetshëm, më pas vdes në burg më 1945 në rrethana të panjohura.
  7. Hafiz Xhemal Naipi – i burgosur 1947 dhe vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij.
  8. Behxhet Shapati, kryetar i KMSH në periudhën 1929-1942, i vdekur në burg në rrethana të panjohura.
  9. Hoxhë Jakup Dusha (Tropojë) – Në dosjen e tij thuhet se u arrestua së bashku me 6 të tjerë më 3 shkurt 1953 dhe ka vdekur në hetuesi po atë vit nga torturat çnjerëzore në burgun e madh të Shkodrës.
  10. Shyqyri Hoxha (Myftiu)- ish-Myftiu i Peqinit pushkatuar më 1946 me akuzat si “armik i popullit”.
  11. Salih Vuçiterna– ish-drejtor i zyrës së Vakëfeve të Komunitetit Mysliman, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit në tetor të vitit 1949.
  12. Qazim Rroji (1915-1946) Myezin në Xhaminë e Tepes dhe Koplikaj, Shkodër. Nacionalist dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq më 10 shtator 1946, ende dhe sot nuk i dihet varri.
  13. Imam Halil Hoxha (1881-1946) me origjinë nga Bytyçi i Tropojës dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet me akuzat si kriminel lufte, bashkëpunëtor i regjimit zogollian dhe i okupatorëve, së bashku me të dënohet edhe bashkëshortja Xhane Hoxha me 5 vite burgim.
  14. Hafiz Xhafer Ali Bualli (1885-1950) kryemyftiu i Korçës i arrestuar e dënuar me pretekstin, se gjoja ka borxhe shtetërore, por në të vërtetë arrestohet nga regjimi komunist për pikëpamjet e tij demokratike, fetare dhe antikomuniste, ku për të fillon kalvari i vuajtjeve dhe torturave deri sa vdes më 1950, duke punuar në kënetat e Maliqit.
  15. Hoxhë Qazim Velçani,– duke mos qenë i aftë për punë për tharjen e kënetës së Maliqit varroset i gjallë me shumë të burgosur të tjerë.
  16. Hafiz Fuat Myderrizi, nënmyfti i Konispolit, Sarandë, arrestohet dhe dënohet si kriminel lufte pas çlirimit, vdes në burg.
  17. Hafiz Hamid Dalliu, imam i Xhamisë Pazarit të Ri Tiranë për aktivitet të theksuar kundër pushtetit në vitin 1948 arrestohet dhe dënohem me 10 vjet burg, vdes në burg.
  18. Hoxhë Haxhi Lala nga katundi Sheq Musalalë i Fierit, ka kundërshtuar ngritjen e kooperativës në fshat dhe është akuzuar se ka dashur të vrasë sekretarin e partisë, arrestohet dhe pasi dënohet vdes në burg.