Loading...
Enciklopedi

Hafiz Musa Qazim Kurushi

Hafiz Musa Qazim Kurushi – (1873-1961) Ka lindur në Reshadije apo në Gumenicë, Çamëri nga një familje fetare dhe e pasur. Babai i tij Haxhi Shaqiri ka qenë mjek në Margëlliç e në rrethinat dhe të gjithë fëmijët e tij i dërgoi për t’u shkolluar në Stamboll. Kështu ai e dërgon edhe djalin e vet Musa Qazimin të studiojë në Stamboll dhe programin e Medresesë që duhet ta bënte për 12 vjet e kryen për shtatë vjet. Merr pjesë në një konkurs për të filluar punë dhe fiton gradën ushtarake të Allaj-myftiut, por që nuk e ushtron këtë detyrë. Pasi mbaron shkollimin e lartë emërohet myfti në një qytet të Anadollit të mesëm Mexhitozu, Çorum. Në vitin 1924 emërohet imam xhamie në Beshiktash të Stambollit, por me zhvillimet e kohës të qeverisjes së Mustafa Qemalit kundërshton reformat e ndërmarra nga qeveria turke së bashku me ulema të tjerë. Më pas largohet nga Turqia dhe rikthehet në Margëlliç, ku caktohet myfti po aty në vitin 1927, por nuk qëndron gjatë se e paralajmërojnë që shovinistët grekë e kanë futur në listat për ta zhdukur. Pas rreth 6 muajsh qëndrimi në Margëlliç kthehet në Shqipëri për t’u vendosur në Vlorë, ku miqtë e vet e rekomandojnë të bëhet myfti. Ai caktohet myfti i Vlorës në vitin 1928-1933. Nga Vlora e transferojnë në Pogradec si myfti, ku qëndron për pak kohë. Nga Pogradeci e dërgojnë myfti në qarkun e Korçës ku qëndron nga viti 1933 -1938. Ai e kishte si traditë që pas faljes së xhumasë hapte konakun dhe priste miq për çaj e për kafe. Në vitin 1938 vendoset me familjen në Tiranë, ku prej kohësh i kishte dërguar të studionin me bursa në Medresenë e Tiranës tre nga pesë djemtë e tij. Për disa kohë ka dhënë vazë te xhamia e Zajmit në Tiranë, të cilën e kishte pranë shtëpisë ku banonte, në vitet 1950.  Pas vdekjes dy sëndukë me librat e bibliotekës u shitën me kile apo u dogjën nga frika, se mos iu gjendeshin në shtëpi prej regjimit komunist nga njëri prej djemve të tij pas vitit të ndalimit të fesë më 1967.