Loading...
Enciklopedi

Hoxhë Selim Brahja (1883-1943)

Hoxhë Selim Brahja (1883-1943) – I mirënjohur në popull edhe si Hoxha i Saukut ka qenë një patriot i shquar dhe ka pasur lidhje shumë të ngushta me patriotë të tjerë të mirënjohur tiranas Murat e Refik Toptanin. Në bashkëpunim me Mehmet efendi Saukun hap shkollën e parë shqipe në Sauk më 1916. I ati i tij Ramazani ka qenë një patriot i njohur në Tiranë dhe përmendet si i tillë në librin e Hafiz Dalliut “Patriotizma në Tiranë”. Studion për fe në Stamboll dhe i përkushtohet gjatë gjithë jetës së tij fesë islame. Me karakterin, veprën dhe punën e tij plot përkushtim ai fiton respektin e njerëzve jo vetëm në Sauk, por edhe në fshatrat përreth, si dhe në Tiranë. Merr pjesë në lëvizjet e vitit 1924, gjithashtu e kundërshton pushtimin italian dhe në mars të vitit 1940 arrestohet nga italianët dhe mbahet në burg për katër muaj. Ai merr pjesë edhe në Konferencën e Mukjes më 1942. Megjithatë Hoxhën e Saukut, njeriun e ndershëm intelektual do ta cilësonin si bashkëpunëtor të fashizmit dhe për këtë ai pati një fund të hidhur. Më 31 gusht 1943 ekzekutohet në prag të xhamisë nga një togë e Çetës së Pezës ditën e parë të muajit të madhnueshëm të Ramazanit[1].


[1] Demneri, I. Rreli, Sh. Tafaj, A.- Tirana personalitete, 3-Intelektualë të hershëm; Tiranë 2009, fq. 223-224.