Hafiz Ali Podgorica (1855-1929)
– Ka lindur në Podgoricë e më pas familja e tij zhvendoset në Shkodër, ku kryen
studimet dhe merr titullin e hafizit. Pasi mbaron studimet në Shkodër shkon në
Stamboll dhe mbaron studimet për drejtësi dhe merr titullin kadi. Në fillim të
shekullit vendoset në qytetin e Durrësit me detyrën e kadiut. Këtu ai njihet me
qarqet intelektuale patriotike të qytetit dhe siç ishte i brumosur me idealet
kombëtare merr pjesë gjallërisht në jetën patriotike të qytetit, duke u
anëtarësuar në klubin “Vëllaznia” të vitit 1907, i pranishëm gjatë gjithë
veprimtarisë së kësaj Lëvizje deri në riformimin e saj me klubin “Bashkimi”, ku
edhe anëtarësohet në këtë klub. Shok i Ismail Qemalit, Jani Vretos, Koto
Hoxhit, njihej me ta që kur ishte student në Stamboll. Ai ishte një nga
ithtarët e flaktë të gjuhës shqipe, gjë që e tregoi edhe në Kongresin e Dibrës
së Madhe 1909. Në vitin 1909 zgjidhet kryetar i Bashkisë për qytetin e Durrësit
deri në vitin 1912. Në detyrën e kryetarit të bashkisë ai kishte si principe
bazë autonominë e administratës shtetërore dhe ndershmërinë në detyrë. Zgjidhet
për pak kohë edhe nënprefekt i qytetit të Krujës. Hafiz Ali Podgorica ishte
personi më i kompletuar për të përballuar detyrën e kryetarit të bashkisë, duke
pasur si meritë, që në momentin kur po e merrte detyrën më 1909 të hedhë kështu
bazat e administratës shqiptare. Është e kohës së tij vula e Bashkisë së
Durrësit, ku si figurë qendrore është shqiponja dykrenore. Më 26 nëntor 1912 me
rastin e ngritjes së Flamurit Kombëtar në qytetin e Durrësit i takon nderi
Hafiz Ali Podgoricës ta ngrejë atë. Në vitin 1914 me vendosjen e qeverisë së
Esat Pashës në Durrës i konfiskohet shtëpia. Ndërron jetë në Kavajë më 1929[1].
[1] Hidri, Sali. Durrësi 1900-1939, Acustica, Durrës 1997, fq. 82-83.