Loading...
Enciklopedi

Ali efendi Dërhemi (1850 – 1938)

Ali efendi Dërhemi  (1850 – 1938) – Familja DËRHEMI mendohet se ka ardhur në Tiranë nga kalaja e Ndroqit dhe madje shumë herët gjatë viteve 1830 – 1850. Pjesëtarët e saj janë të njohur gjithmonë për vlerat miqësore dhe qytetare, ku në shumicën e tyre kanë ushtruar sidomos profesionin e nënpunësit dhe të tregtarit. Aliu lindi në Tiranë në vitin 1850 dhe ai u njoh shumë shpejt nga bashkëqytetarët si Ali efendiu. I ati Hasani (1800 – 1870), jurist i njohur i kohës kishte detyrën e inspektorit të gjyqeve për vilajetin e Shkodrës, prej nga varej dhe Tirana. Vetë Aliu pasi mbaron medresenë  e Tiranës i mbaroi studimet e larta në universitetin e Kajros, Egjipt. Kur u kthye në vendlindje sikurse dhe i ati, edhe ai po ashtu filloi inspektor, por për problemet financiare dhe duke punuar sidomos në qytetet e Durrësit, Kavajës dhe Shijakut. Duke qenë për vite me radhë edhe mësues për lëndën e matematikës në medresenë e Tiranës, ai aktivizohet kështu me sukses në detyrën e edukatorit. Gjatë karrierës së tij, falë dhe përgatitjes teologjike që kishte, ai ka patur dhe detyrën e zëvendëskryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar, e tamam në atë kohë kur institucioni i sapothemeluar drejtohej nga i mirënjohuri Haxhi Vehbi Dibra. Me formimin profesional të tij Aliu drejtoi me sukses aktivitetin financiar të këtij institucioni, duke filluar që nga evidentimi dhe inventarizimi i pasurisë së patundshme e deri te problemet e tjera të kësaj fushe. Falë personalitetit dhe qytetarisë së tij ai u zgjodh disa herë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ndërsa në vitet 1923 – 1924 edhe kryetar i Bashkisë. I bindur për nevojën e ligjshmërisë Aliu kishte besimin dhe përkrahjen e regjimit mbretëror dhe të drejtimit të mbretit Zog. Prej tij ai ishte dekoruar me urdhrin e Skënderbeut të klasit të parë. I njohur në publik gjithnjë si Ali Efendiu ai ishte njëherësh njeri bamirës dhe bujar. Revista e kohës “Zani i Naltë” në numrin 2-3/1933, nën titullin “Veprat shpirtërore të Haxhi Ali Dërhemit, ndihmës i kryemyftiut” ka shkruar “Hirësia e tij, i frymëzuar nga shpirti i naltë i vet ka vendosë që pasunine që i ka falë Zoti, ta shpenzojë po në rrugë të Zotit…” Pjesëmarrja e madhe në ditën e varrimit të tij, kur ai vdiq më 1938 tregoi më së miri respektin dhe vlerësimin që kishte populli i Tiranës për këtë personalitet të shquar[1].


[1] Demneri, I. Rreli, Sh. Tafaj, A.- Tirana personalitete, 3-Intelektualë të hershëm; Tiranë 2009, fq. 21.