Loading...
Enciklopedi

Hafiz Vildan Faik Dibra

Hafiz Vildan Faik Dibra – (?-1925) Hafiz Vildani arsimin fillor dhe atë të mesëm e bëri në Dibër, ku kishte një arsim të zhvilluar në gjuhë të huaj turko-arabo-persiane, dhe nga ku dolën shumë patriotë të shquar. Studimet e larta i vazhdoi në Stamboll, ku si shumë shqiptarë të tjerë, dhe ky pati rezultate të shkëlqyera në përfundimin e medresesë së lartë. I vlerësuar për përgatitjen e lartë që kishte fituar, u emërua profesor në Medresenë e Lartë të Yskydarit. Më vonë aty u hap edhe një shkollë shqipe, shkolla “Kosova” me nxënës refugjatësh shqiptarë. F. Dibra u aktivizua në lëvizjen kombëtare të fillimit të shekullit XX, duke përqafuar programin e saj. Mori pjesë në Klubin “Bashkimi” të Stambollit dhe e përfaqësoi atë në Kongresin e Manastirit të 1908-ës. Qëndrimi i tij në këtë Kongres, pro ose kundër alfabetit të Stambollit, kishte një peshë të madhe. Shumë nga pjesëmarrësit prisnin nga do të anonte ai. Hafiz Vildani duke shprehur pikëpamjen e tij në bazë të thënieve të ndryshme kuranore theksoi: “Feja dhe Kurani nuk kanë kurrfarë lidhje me alfabetin. Mësimi i gjuhës shqipe me alfabetin latin nga pikëpamja fetare s’ka asnjë ndalim”. Duke pasur parasysh anën praktike ai tha se mësimi i gjuhës shqipe me këtë alfabet është më i lehtë. Hafiz V. F. Dibra është autor i disa veprave letrare-fetare e filozofike në gjuhët e Lindjes. Gjithashtu ai është autor edhe i monografive në lëmin e drejtësisë, në kuadrin e të drejtës së Sheriatit. Ai me cilësinë e përfaqësuesit të Komitetit të Stambollit mbajti një varg ligjëratash gjatë vitit 1908 në disa qytete të Shqipërisë. Këto ligjërata dëshmojnë për erudicionin e tij, pathosin patriotik dhe elokuencën profesionale. Vdiq në Stamboll më 1925[1].

[1] Zekaj, Ramiz. Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, AIITC, Tiranë 2002, fq. 278-280.