Loading...
Enciklopedi

Mulla Rasim Selmani- Zapodi

Mulla Rasim Selmani- Zapodi – (1867-1924) Lindi në fshatin Zapod, rrethinat e Kukësit, Lumë, në vitin 1867. I nis studimet fetare në mejtepin e fshatit për t’i vazhduar më tej në medresenë e Prizrenit, ku njihet dhe miqësohet me ata që do të bëheshin figura të shquara hoxhallarësh të krahinës Mehmet Mustafa (Shtiqën), Xheladin Hoxha (Dukagjin), Hoxhë Hallaçi (Përbreg), Nail Hoxha (Rapçë). Si mbaron Medresenë shkon në Kavalla (Greqi), ku i punonte i ati dhe vazhdon studimet fetare aty dhe fiton statusin e imamit. Kthehet në vendlindje dhe shërben si hoxhë e mësues mejtepi në fshatin Lojmë (1890-1893), pastaj në fshatin e tij Zapod (1894-1924). Gjatë aktivitetit të tij fetar e arsimor mulla Rasimi njihet dhe bashkëpunon me patriotë të tjerë nga Gora, Luma e Opoja. Është i mirënjohur veprimtaria e tij patriotike gjatë viteve 1912-1921, por sidomos përpjekjet që bëri për të përfshirë një pjesë të Gorës në Shtetin e ri Shqiptar. Për këtë ai shfrytëzoi ofiqin e tij si myfti i krahinës. Në një letër proteste të vitit 1921 ai pat shkruar: “…Gora asht nji popull që i bindet çdo qeverie, porse nuk pranon kurrë të jetojë nën protektoratin serb”. Ndërron jetë në vitin 1924[1].

[1] Hoxha, Shefqet. Kërkime për besimet fetare në Lumë, GEER, Tiranë 2005, fq. 219.