Loading...
Persekutimi i hoxhallarëve

Akuzat dhe persekutimet e Hoxhallarëve Shqiptarë

Akuzat dhe persekutimet e Hoxhallarëve Shqiptarë

Akuzat dhe persekutimet e hoxhallarëve kanë qenë të formave dhe mënyrave nga më të ndryshme. E marrë në total edhe hoxhallarët u persekutuan si të gjithë figurat dhe kategoritë e tjera njerëzore gjatë gjithë regjimit komunist. Akuzat dhe etiketimet që iu bënë atyre kishin padyshim si shkak kryesor petkun fetar që kishin veshur, si dhe misionin fetar që kishin marrë përsipër.

Akuzat ndaj tyre kanë qenë: Bashkëpunëtor me armikun, armik i popullit, armik i klasës, tradhti ndaj atdheut, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, sabotator i pushtetit popullor, dëmtim i pasurisë socialiste, tentativë për arratisje dhe arratisje nga vendi, pjesëmarrje në grupe politike dhe antipushtet, strehim të kriminelëve të luftës, kriminelë lufte etj.

Persekutimet më të rënda i pësuan ata hoxhallarë, të cilët u vranë, u burgosën dhe u internuan drejtpërdrejt, si dhe u dëbuan nga qytetet e tyre për në vende të njohura ku internoheshin e dëboheshin kundërshtarët politikë. Ata u lanë pa shtëpi rrugëve, ju dogj shtëpia, apo ua burgosën fëmijët dhe të afërmit e tyre. Hoxhallarët u vranë qysh pa e marrë pushtetin komunistët , apo u pushkatuan dhe vdiqën nëpër burgje prej torturave të rënda. Pjesë e dënimit në burgje ka qenë edhe konfiskimi i pasurive të tundshme e të patundshme, humbja e të drejtave elektorale dhe politike me afate të caktuara. Sekuestrimi i mallit apo i shtëpive të tyre me gjyq e pa gjyq. Lënia e këtyre hoxhallarëve pa punë apo pa pension ishte që të mos kishin mjete jetese dhe në këtë mënyrë të merrnin, sipas përfaqësuesve të lartë të regjimit komunist “dënimin e merituar”. Persekutimi moral në shoqëri i përndiqte gjithandej të gjithë hoxhallarët dhe klerikët e besimeve të tjera. Do të theksoja këtu se të gjitha praktikat e diskriminimit dhe të persekutimit politik i pësuan edhe klerikët e besimeve të tjera, si dhe pjesa civile, të cilët për arsye të ndryshme u etiketuan si armiq të regjimit komunist. Shumë hoxhallarë për të mos hequr dorë nga mbajtja e petkut fetar u vetëizoluan në shtëpi, deri sa ndërruan jetë.